Kryqi Kuq i Qytetit të Shkupit me një konferencë shtypi me temë “Hap përpara drejt modernizimit dhe standardizimit të shërbimeve për personat e moshuar” ka shënuar 1 Tetorin, Ditën Botërore të Personave të Moshuar, me të cilën synohet avancimi i shërbimeve, sidomos duke zbatuar përvojat e Kryqit të Kuq të Nirnbergut të Gjermanisë, një delegacion i të cilit po qëndron në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryqi i Kuq i qytetit të Shkupit, i përkrahur nga Ambasada e Sllovakisë në Shkup, për të tetin vit radhazi zbaton shërbimin social “Qendra ditore për personat e moshuar dhe qendra për ofrimin e shërbimeve në kushte shtëpiake”, me të cilin pesë punonjës shëndetësor dhe 12 vullnetarë vizitojnë 180 të moshuar në disa komuna të kryeqendrës.

Ambasadori i Sllovakisë në Maqedoni, Martin Bezak, në fjalimin e tij theksoi se shënimi i kësaj dite, mes tjerash paraqet një falënderim për të moshuarit, për kontributin e tyre që kanë dhënë në shoqëri. Bezak tha se aktualisht në rrafsh global numri i personave të moshës 60 vjeçare dhe më lartë është 900 milionë për të shtuar se parashikimet flasin se në 15 vitet e ardhshme ky numër të dyfishohet.

Sipas tij fokusi tematik këtë vit është vendosur te eksplorimi i mjeteve efektive për të përforcuar pjesëmarrjen e personave të moshuar në jetën shoqërore, politike, kulturore dhe ekonomike.

Kryetari i Kryqit të Kuq nga Nirnbergu, Oto Kres, i cili me delegacionin nga Gjermania nga dita e martë do të punojë në teren bashkë me personelin e Kryqit të Kuq nga Maqedonia për të ofruar përvojat gjermane, tha se ardhja e tyre në Shkup është në korniza të miqësisë shumëvjeçare, e cila synon ndarjen e përvojave.

Sekretarja e Kryqit të Kuq-Shkup, Suzana Paunovska falënderoi personelin dhe vullnetarët e organizatës të cilët me punën e tyre zbukurojnë jetët e personave të moshës së tretë.

Shënimi i 1 Tetorit është zyrtarizuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara dhe daton nga 14 dhjetori i vitit 1990. Kësaj i kanë paraprirë disa nisma, siç është plani aksional për plakje i përpiluar në Vjena të cilin AP-OKB e miratoi në vitin 1982.