Temperaturat e ulëta kanë shtuar përgatitjet për sezonin dimëror, posaçërisht në shkollat fillore dhe të mesme në vend. Shkolla fillore “Dituria” Saraj, bashkë me tre shkollat periferike në fshatrat Gërçec, Krushopek dhe Lubin tashmë dy javë ka filluar të ngrohë objektet, varësisht prej temperaturave të ditës.

Ngrohjen e kemi me naftë dhe sasitë që janë të parapara në bazë të hapësirave që i kanë shkollat janë të siguruara, ndërsa në shkollën periferike në Lubin ku ngrohja ishte me dru, tash për herë të parë atje e kemi ngrohjen me peleta dhe sasitë e nevojshme prej 8 mijë kg janë të siguruara për atë shkollë. Prej javës së kaluar kemi filluar ta lëshojmë ngrohjen që në orët e mëngjesit, kurse prej sot ngrohjen e kemi lëshua për tërë ditën ose sipas nevojës –  deklaroi Rafiz Ameti, Drejtor i Sh.F “Dituria” Saraj.

Edhe në shkollat e Çairit ka filluar të ndjehet i ngrohti. Disa prej shkollave vetë e sigurojnë ngrohjen ndërsa të tjerat janë lidhur me sistemin e ngrohjes qendrore.

Tani kemi ngrohje qendrore dhe është e rregulluar mirë. Para datës 15 është lëshuar ngrohja. Jemi të kënaqur, ne rregull është probleme nuk ka, ngrohja është në nivel, sipas temperaturave, kur është më ftohtë edhe temperatura është më e lartë. Të gjitha sipërfaqet që janë, kabinetet, korridoret të gjitha janë të përfshira –  tha Faik Xhoni, drejtor I sh.f “Kongresi I Manastirit”.

Ndërsa Institucionet kanë siguruar ngrohje për sezonin dimëror, shumë familje në Shkup ende nuk e kanë zgjidhur këtë problem. Banorët ankohen për çmime shumë të larta druve. Shumë prej tyre thonë se nuk ngrohen me asgjë për shkak të shpenzimeve të larta.

Me çka mu nxeh, dru jo, asgjë jo. E kam bë plan të blej dru po nuk po i mbledh paret. Për mu shumë janë, unë jam me pension edhe nuk po dalin. Sivjet zor shumë, për këtë vit shumë dobët jemi. Drutë shumë shtrenjtë për ata që janë me pension”

Katastrofë çmimi. Sivjet i kam ble më herët mirëpo edhe atëherë ishin shtrenjtë, 3600 denarë. Pa marr borxh diku nuk mundesh mi siguru drutë, kur ta shlyesh borxhin shtohet ai tjetri, po ishalla rregullohet”.

Në depot private për shitjen e druve ofrohen çmime të ndryshme. Për një metër kub dru ahu banorët paguajnë prej 3.200 deri 3.700 denarë, ndërsa për dru dushku duhet të ndahet shumë prej 3.400 -3700 denarë. Ditë më parë nga Pyjet e Maqedonisë njoftuan se ofrojnë çmime të ndryshme të druve duke filluar nga 2.370 deri më 2.450 denarë./alsat-m