Nënkryetarja e LSDM-së dhe Ministre e Mbrojtjes, Radmila Shekerinska ka marrë pjesë sonte në tribunën promovuese që u mbajt në mbështetje të kandidaturës së kryetares aktuale të Tetovës, Teuta Arifi për edhe një mandat tjetër në të njëjtin funksion.

Shekerinska tha se Arifi ishte pjesë e disa politikanëve vendimi i së cilëve pas zgjedhjeve parlamentare dhjetorin e kaluar i ka mundësuar ndryshimet në vend dhe që kanë ndarë koncept të përbashkët të paqes, prosperitetit dhe mundësi që të rinjtë jetën dhe punën e tyre ta shohin në Maqedoni.

Ne nuk duhet, theksoi, të relaksohemi pas rezultatit fenomenal të raundit të parë të zgjedhjeve lokale ku kemi fituar dhe ku prisnim por edhe atje ku ne nuk kishim ëndërruar.

“Ky ishte një tjetër tregues se ciklet e mëparshme zgjedhore kanë qenë lëndë e vjedhjes dhe dhunës, ndërsa me fitoren e tanishme në disa nga komunat më të mëdha në vend vetëm e konfirmuan përcaktimin e qytetarëve për reforma dhe drejtësi. Edhe në Tetovë kryesojnë ata njerëz me të cilët kemi vlera dhe koncepte të përbashkëta për Maqedoninë që i integron të gjithë dhe siguron jetë për të gjithë. Unë u bëj thirrje të gjithë atyre që besojnë se Maqedonia kështu mund të shkojë përpara të dalin në votime dhe ta zgjedhin kryetaren e tyre Teuta Arifi gjegjësisht t’i shpërblejnë ata politikanë të cilët na bashkojnë”, tha Sekerinska.

Edhe në këto edhe zgjedhjet e kaluara, shtoi, kanë treguar se nëse luani me nacionalizmin, do të vuani nga nacionalizmi. Duke fituar këto zgjedhje lokale do të tregojmë se Maqedonia ka mësuar nga gabimet e veta dhe gabimet e vendeve të tjera të Ballkanit dhe se për vlerat për Maqedoninë e përbashkët duhet të luftojmë, theksoi Shekerinska.

Kandidatja për kryetare të komunës së Tetovës nga radhët BDI-së, Teuta Arifi theksoi se ndryshimi i vërtetë është treguar në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, me fitoren e saj dhe diferencën prej gati 5.000 votave krahasuar me kandidatin e dytë, Bilall Kasami nga Besa.

– Bashkëpunimi i pushtetit lokal me pushtetin qendror është vendimtar për zbatimin e reformave, por edhe për barazinë e të gjithëve si mundësi më e madhe për zhvillimin e vendit tonë. Ne ndajmë ide të përbashkëta për vendin tonë dhe qytetin tonë. Udhëzimet e mira për integrimin e përbashkët në BE dhe NATO lejojnë që ndryshimet dhe reformat të vazhdojnë në rrugën e tyre. Në katër vitet e fundit punuam në zgjidhjen e problemeve komplekse që për vite ishin lënë pas dore siç është ndërhyrja e re në furnizimin me ujë që për 20 vjet shtyhej”, tha Arifi.

Ajo paralajmëroi se prioritetet më të rëndësishme për katër vitet e ardhshme do të jenë ndërtimi i kapaciteteve për trajtimin e ujërave të zeza për të cilën Tetova së bashku me Strumicën dhe Manastirin do të marrin fonde nga programi IPA, hapjen e bulevardeve të qytetit dhe aktivitete të tjera.

Këshilltari i sapozgjedhur në komunën e Tetovës, Zhive Aleksoski i cili ishte bartës i listës së kandidatëve të LSDM-së për këtë komunë, theksoi se me mbështetjen e tyre për Teuta Arifin tejkalohen stereotipat dhe paragjykimet. Së bashku me dy këshilltarët e tjerë nga kjo parti, siç tha ai, do të punojnë me ndershmëri, përgjegjësi dhe me dinjitet në realizimin e programit zgjedhor dhe për të përmirësuar jetën për të gjithë në komunën e Tetovës.