Interesim për t’i analizuar mundësitë për lidhje më të madhe të kompanive të Maqedonisë dhe të Spanjës në sferën e prodhimit të produkteve bujqësore dhe industrisë ushqimore, ndërtimtarisë, turizmit dhe hotelierisë dhe menaxhimit me mbeturina dhe trajtimin e ujërave të zeza sot është shprehur në takimin midis ministrit të obliguar për rregullativë dhe për përmirësimin e klimës investuese për kompanitë vendore, Zoran Shapuriq me ambasadorin e mbretërisë së Spanjës, Emilio Lorenzo Serra dhe drejtoreshën e zyrës rajonale për Çështje Ekonomike të Spanjës, Eva Povedano Moreno.

Siç kumtuan nga kabineti i Shapuriq, ministri e ka njoftuar ambasadorin Lorenzo dhe drejtoreshën Moreno, me aktivitetet e Qeverisë për përafrimin e Maqedonisë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, me ç’rast ambasadori Emilio Lorenzo ka shprehur kënaqësi nga kthimi i Maqedonisë në rrugën drejt integrimeve euroatlantike dhe u ka dërguar urime qytetarëve dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për zgjedhjet lokale që u zhvilluan në mënyrë korrekte dhe demokratike, sipas standardeve të larta të BE-së.

Drejtoresha Moreno e informoi ministrin Shapuriq për nismën për organizimin e paneleve ekonomike në Spanjë në të cilat do të prezantoheshin mundësitë për bashkëpunim midis kompanive të Maqedonisë dhe të Spanjës.