Bashkimi Demokratik për Integrim, ndryshe nga partitë tjera, në këto zgjedhje solli risi të re, ndërsa u koncentrua që çdo kandidat të ketë programin e vet për zhvillimin e komunës, me parashikime të sakta të projekteve. Kështu ka thënë përfaqësuesi i BDI-së, Ilmi Selami në emisionin “Argument”, ndërsa ka shtuar se deri të premten, BDI do të jetë derë më derë të qytetarëve.

“Kështu vazhdojmë deri të premten, sa më afër qytetarëve, sepse kësaj radhe, ne vendosëm të shkojmë te qytetarët. Besoj se ia kemi arritur qëllimit, sepse kjo u dëshmua edhe në rrethin e parë të zgjedhjeve, me fitoren plebishitare të BDI-së”, është shprehur Selami.

Ai ka folur edhe për koalicionin ASH-BESA, ndërsa të njëjtin e ka quajtur të vonshëm dhe joparimor.

“BDI përshëndet koalicionin e tillë dhe aq më tepër kur vet BDI, në veçanti kryetari Ali Ahmeti kishte bërë thirrje për bashkim të opozitës që të mos humb vota shqiptare, por atë që dëshiroj ta them këtu është se shihet se asnjë nga përfaqësuesit politik të BESËS dhe ASH-së nuk mund ta arsyetojnë bashkëpunimin tani, sidomos pas humbjes së thellë. Ky koalicion shihet si i vonshëm, dhe ka të bëjë vetëm për shpëtimin e liderëve. Sepse, po të kishte qenë koalicion i parimeve, ky bashkim do bëhej qysh në 2016, atëherë kur ishin zgjidhje parlamentare. Por atëherë nuk ndodhi dhe atëkohë, shqiptarët humbën 10 deputetë. Edhe tani, po të ishte ky bashkim që në rrethin e parë, shqiptarët nuk do humbnin këshilltarë në komunat ku shqiptarët janë pakicë”, ka thënë Selami.