Mjafton pesha e akuzës për përgjim të paligjshëm, që agjentët sekret, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski të ekstradohen nga Greqia në Maqedoni. Profesori i së drejtës penale ndërkombëtare, Sejfulla Osmani beson se Greqia do të insistojë njëherë për gjykim të tyre, për pasaporta false bullgare, dhe pastaj ti ekstradojë këtu te ne, që të gjykohen për rastet e “Fortesa” dhe “Target”. Dëshmitë dhe argumentet PSP-së mjaftojnë që të respektohen konventat ndërkombëtare, tha Osmani.

Osmani shpjegoi se akuza e përgjimit të paligjshëm nuk i lë hapësirë Grujevskit dhe Boshkovskit, të kërkojnë azil politik në Greqi. Kjo mundësi bie në ujë, edhe pse dyshja e pandarë në gjykatën e Selanikut theksoi se kanë frikë nga një rast i montuar politik.

Kryeministri Zoran Zaev disa ditë më parë tha se nuk do të ketë nevojë për intervenim politik, për Goran Grujevskin dhe Nikolla Boshkovskin, që të dorëzohen te ne, për t’u gjykuar për përgjimet e paligjshme.