Në Gjykatën Penale të Shkupit sot filloi debati kryesor për lëndën “Fortesa 2”, në të cilën sipas akuzës së PSP-së, në vitin 2015, menjëherë pas publikimit të “bombave” të opozitës, u shkatërruan sisteme për ndjekjen e komunikimeve.

I akuzuari i parë për këtë rast është ish-shefi i Drejtorisë për Zbulim dhe Kundërzbulim, Goran Grujovski dhe gjashtë të punësuar në Drejtori. Grujovski, i cili është në arrati do të gjykohet në mungesë.

Dëshmitarët e rastit “Fortesa 2” konfirmuan se komisioni nga Drejtoria e pestë në bazën sekrete të quajtur “Brezë” në Petrovec të Shkupit ka shkatërruar materiale, të cilat kanë qenë nga DZK. Për përmbajtjen e materialeve të shkatërruara, të cilat kanë qenë të vendosura në qese të zeza, kanë thënë se nuk e dinë se për çka bëhet fjalë.

Në seancën paraprake është thënë se në këtë rast dëshmitar është edhe kolegu i Grujovskit nga DZK, Nikolla Boshkovski, i cili gjithashtu, është në arrati.

Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski janë në arrati dhe për ta është shpallur fletarrest ndërkombëtar. Ata nuk janë të kapshëm nga 18 korriku, pasi që Gjykata Supreme pas prolongimit disaditor ua konfirmoi paraburgimin që paraprakisht e caktoi Gjykata Penale.

Në fillim të seancës së sotme gjykatësja me kërkesë të mbrojtjes dhe prokurorëve e përjashtoi opinionin nga debati për shkak të sigurimit të informacioneve të besueshme