Gjykimi për rastin “Sopot” në të cilin 10 persona janë të akuzuar për terrorizëm, sot duhet të vazhdojë në Gjykatën Penale me marrjen në pyetje  të dëshmitarëve.

Seanca paraprake më 9 tetor u anulua me propozim të mbrojtjes, e cila kërkoi kohë shtesë për përgatitje, për shkak të ndryshimit të gjykatësve në këshillin penal dhe marrjes së rastit nga ana e Prokurorisë Publike Speciale.

Rasti “Sopot” është nga viti 2003, kur dy ushtarë polakë dhe një shtetas i Maqedonisë humbën jetën, pasi një automjet terreni i NATO-s shkeli në minë. Në këtë rast dhjetë persona janë dënuar për terrorizëm. Ata ngarkohen se kanë vendosur mjet shpërthyes në rrugën lokale Sushevë – Sopot.

Prokuroria Publike Themelore për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsion në korrik të këtij viti ia kanë dorëzuar lëndën “Sopot” PSP-së, pasi në opinion u publikuan biseda të funksionarëve të lartë të lidhura me këtë rast.