Aktivistët sirianë thonë se të paktën 11 persona janë vrarë nga një sulm me bombë në Damaskun qendror.

Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, organizatë me bazë në Londër, ka thënë se një makinë-bombë ka shpërthyer në afërsi të një stacioni policor në lagjen Al-Midan të Damaskut dhe më pas dy sulmues vetëvrasës kanë shpërthyer eksplozivët e tyre.

Ministria e Brendshme ka thënë se dy sulmuesit vetëvrasës kanë vrarë civilë dhe zyrtarë policorë, por nuk kanë dhënë numrin e saktë të viktimave.

Duke cituar burime brenda shërbimeve të sigurisë siriane, agjencia shtetërore e lajmeve të Rusisë, RIA, ka raportuar se sulmi është kryer nga katër sulmues vetëvrasës.

Askush deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Gjatë gjashtë vjetëve të luftës civile në Siri, janë vrarë më shumë se 330,000 persona, ndërkaq vlerësohet se pesë milionë persona janë larguar nga shtëpitë e tyre.

Rusia dhe Irani mbështesin Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, ndërkaq Shtetet e Bashkuara dhe Turqia mbështesin grupet rebele.

Grupi militant “Shteti Islamik” (ISIS) gjithashtu lufton në Siri me të gjitha palët e përfshira në këtë konflikt.

 

Comments are closed.