Katër gola vetëm në ndeshjen e fundit. Në total 13 gola në 15 javë të luajtura në Ligën e Parë austriake, ku është edhe golashënuesi i kampionatit.

Hamdi Salihi po përjeton rininë e dytë në Austri, duke bërë atë që di më mirë: Të shënojë! Bomberi po shijon momentin, pa menduar më tepër se ç’duhet për të ardhmen.

Po shkon pak ndoshta edhe jashtë parashikimeve, por ndihem mirë sepse gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar shumë dhe gjithçka po funksionon perfekt. Pastaj pak rëndësi ka sa vite do të luaj, sepse këtë nuk e llogaris sa herë që bëj gol. E rëndësishme është që për sa kohë të luaj të mos bie poshtë këtyre niveleve dhe të mos bëhem qesharak”, shprehet shkodrani.

Në këtë moment, Salihi është ndër sulmuesit shqiptarë më në formë. Por, kur flitet për rikthimin e mundshëm në Kombëtare, 33-vjeçari është i vetëdijshëm për realitetin, megjithatë për “SuperSport” shprehet gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.

Kam treguar se nuk jam kursyer asnjëherë për të qenë pjesë e Kombëtares edhe kur luaja në Amerikë apo në Kinë. Kam ardhur gjithmonë me dëshirë. Çdo gjë në shërbim të ekipit Kombëtar, do të kisha qenë i gatshëm për tu afruar apo për ta ndihmuar. Por, duhet të jemi pak realistë: vitet ecin dhe normalisht që trajneri besoj që ka plane të tjera. Përtej gjendjes dhe formës momentale të lojtarëve, i duhet të bëjë edhe vlerësime afatgjata. Por, kur do të jetë nevoja unë jam gjithmonë gati për të ndihmuar ekipin Kombëtar”, deklaroi Salihi.