Armando Sadiku, sulmuesi i Shqipërisë, mendon se nëse luajnë si grup mund ta ndalin Spanjën

Kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri te përballja mes Spanjës dhe Kombëtares shqiptare në kuadër të eliminatoreve për Botërorin ‘Rusia 2018’.

Sulmuesi i ekipit kuqezi, Armando Sadiku është i vetëdijshëm se ndaj “La Rojas” do ta kenë shumë të vështirë. Por, ai mendon se nëse luajnë si grup mund ta ndalin Spanjën.

“Janë lojtar të një klasi tjetër, luajnë në ekipet më të mira në botë. Ne i respektojmë. Ndeshjen e parë nuk isha, por e pashë nga televizori, por besoj që do të jetë e vështirë, si të prekësh topin, si në duele. Por, nëse ne e tregojmë veten si në Europian, si me Izraelin, ne gjithmonë ndaj ekipeve të mëdha luajmë mirë. Po të luajmë si grup mund t’ia dalim edhe këtë herë.”, ka deklaruar ai.

Ambiciet e Sadikut nuk kufizohen kur pyetet nëse do të preferonte një gol kundër Spanjës apo ndaj Italisë. Gjithsesi kryesorja për të, pavarësisht aspektit personal, mbetet suksesi i Shqipërisë.

“Gol Spanjës apo Italisë? Do të më pëlqente t’i shënoja të dyja këtyre skuadrave. Por, nëse luajmë si grup ashtu si në ndeshje të tjera të rëndësishme si kjo do të arrijmë t’i krijojmë vështirësi kundërshtarëve dhe të marrim rezultat. Unë shpresoj të shënoj, do të ishte mjaft bukur për mua personalisht dhe nëse do të ndihmoja ekipin të merrte një pikë do të ishte perfekt.”, ka theksuar ai.