Kryetari i Komunës së Dibrës dhe njëkohësisht kandidat për kryetar të Komunës së Dibrës , z. Ruzhdi Lata zhvilloi sot takime me banorë në fshatit Kosovrast i Epërm, ku bisedoi me to për bujqësinë, infrastrukturë dhe projektet e tjera në Dibër dhe Kosovrast. 
Kryetari Lata falenderoi banorët për punën e bërë deri tani dhe theksoi se në Dibër, pjesë e së cilës është edhe Kosovrasti, është punuar në të gjithë sektorët kryesorë për zhvillimin e vendit tonë. 
“Sëbashku kemi punuar hap pas hapi në rregullimin dhe ndërtimi e Dibrës , duke investuar paralelisht në shtyllat e rëndësishme të zhvillimit tonë si bujqësi, infrastrukturë, arsim, kulturë dhe aktivitete të tjera . E teksa themelet janë hedhur, ne duhet të vijojmë punën me projektet e reja drejt Dibrës dhe Kosovrasti të nesërm, Kosovrastit të jetueshëm për të gjithë”, u shpreh ai. 
Duke folur konkretisht për Kosovrastin e Epërm, kandidati Lata tregoi për investimet e deri tanishme që kryesisht janë në infrastrukturë dhe arsim, foli për pllakëzimin e rrugicave dhe rregullimin e kanalizimeve. Pastaj z.Lata foli edhe për të ardhmen , ku shpalosi projektet që do të realizohen në Kosovrast gjatë mandatit të ardhshëm. 
“Puna jonë ka nisur më parë. Ne kemi qenë unifikues, jo diskriminues dhe harmonizues, si në marrëdhëniet ndërnjerëzore , ashtu edhe në shtrirjen e investimeve. Për ne Dibra është në çdo cep dhe na dhimbet çdo cep i Dibrës. Prandaj tani sëbashku, do të vijojmë më tej me investime edhe në fshatin Kosovrast të Epërm. Ne nuk do të ndalemi me kaq, sëbashku, do të punojmë edhe më tej në punët që na ka ngelur . Ju garantoj se do të bëj pllakëzimin e të gjithë fshatit, do të ndërtojë urrën që lidh fshatin me rrugën regjionale Dibër -Mavrovë, kanalizimin e përgjithshëm dhe parkingun e fshatit. Punimet fillojnë prej nesër “, tha Lata