Nga fillimi i vitit dukshëm është rritur numri i migrantëve të cilët në mënyrë të paligjshme kanë hyrë në Bosnje e Hercegovinë, duke tentuar prej atje përmes Kroacisë të arrijnë deri në shtetet tjera të Bashkimit Evropian, kumtoi Ministria e Sigurisë e BeH-së.

Të dhënat tregojnë se në nëntë muajt e parë të vitit në BeH kanë arritur 605 migrantë të paligjshëm, që është dallim drastik në krahasim me vitin 2016, kur në të njëjtën periudhë në vend kanë hyrë 173 migrantë të paligjshëm.

Sipas Ministrisë, vetëm gjatë tre javëve të fundit policia e BeH-së ka zbuluar dhe arrestuar 40 migrantë të paligjshëm.

Në kumtesë theksohet se në Bosnje e Hercegovinë arrijnë gjithnjë e më shumë shtetas nga vendet me rrezik të lartë të migrimit, ndërsa agjencitë boshnjake të sigurimit ndërmarrin hapa për deportimin e tyre në shtetet prej ku vijnë.

I tillë është rasti edhe me 40 personat e fundit të cilët për momentin gjenden në qendrën për migrantë në Sarajevë dhe presin të deportohen.

Migrantët e paligjshëm, të cilët në numër më të madh arrijnë në vend kryesisht janë nga Algjeria, Libia, Pakistani dhe Maroku, por ka edhe shtetas të Turqisë ose Shqipërisë, të cilët e keqpërdorin regjimin pa viza për udhëtim në BeH.