Në një epidemi jashtëzakonisht të madhe të murtajës në ishullin Madagaskar deri më tani kanë humbur jetën 94 persona, kumtoi sot Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Numri i të sëmurëve me simptoma ka arritur deri në tani 1.153 persona, deklaroi drejtori për operacione urgjente të OBSH-së në Afrikë, doktor Ibrahim Soke Foll.

Sipas tij, pritet që të infektohen akoma më tepër njerëz, ndërsa në rajonet e prekura janë dërguar ekipe mjekësore dhe më shumë se një milionë doza antibiotikë.

Murtaja është dukuri e zakonshme në Madagaskar, por këtë vit epidemia është e pazakontë, sepse i ka përfshirë edhe dy qytetet më të mëdha në ishull – Antananarivo dhe Tuamasina.

Mbi 70 për qind e rasteve janë murtajë e mushkërive, e cila përhapet përmes kollitjes, teshtimës ose pështyrjes dhe pothuajse gjithmonë është vdekjeprurëse, nëse nuk mjekohet. Në disa raste, murtaja e mushkërive vret në afat prej 24 orëve.

OSBH kumtoi se rreziku për përhapjen e sëmundjes në botë është i vogël dhe nuk ka nevojë për paralajmërime për kufizim të udhëtimeve deri në ishull ose për restriksione tregtare.