“Momenti më i vështirë në jetën time ka qenë kur në vitin 2003 e zbulova se jam e prekur nga kanceri në gji. Pasoi depresioni, netët pa gjumë dhe eventualisht dhimbjet nga trajtimet e kimioterapisë. Por, gjëja më e keqe që mund të bësh nëse diagnostikohesh me kancer në gji është fshehja, mbyllja në vetvete dhe dorëzimi”, kështu rrëfehet 63 vjeçarja nga Prishtina, Lumnije Shala, e cila e mposhti sëmundjen e kancerit në gji.

Ajo 14 vite më parë u diagnostikua me sëmundjen e kancerit, ku edhe hyri në operim për ta mposhtur përgjithmonë këtë sëmundje. Ajo i inkurajon gratë e tjera që të mos dorëzohen dhe t’i vazhdojnë terapitë për luftimin e kancerit në gji.

“Asnjëherë mos e humbisni shpresën dhe mos e ndalni luftën. Kanceri në gji nuk është turp, por sëmundje me të cilën ballafaqohen miliona gra sot në botë dhe ju mund ta mposhtni. Po bëhen 14 vjet qëkur kam hyrë në operacion, por asnjëherë nuk e kam ndalur jetën dhe punën aktive në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Prishtinë”, tregon doktoresha Lumnije Shala, 63 vjeçe, e mbijetuar e kancerit të gjirit.

Shala, sqaron se pjesa themelore për mposhtjen e kësaj sëmundjeje është informimi dhe kontrollet e hershme.

E rrëfime të fuqishme, inspiruese dhe frymëzuese si kjo e doktoreshë Lumnijes u folën sot gjatë takimit që disa zonja patën me ministrin e shëndetësisë të cilat janë ballafaquar me kancerin në gji dhe e kanë mposhtur atë.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, shprehet se Ministria e Shëndetësisë do t’i bashkohet kësaj luftës për luftimin e kanverit të gjirit duke u siguruar grave aparaturën dhe hapësirën e nevojshme për ta trajtuar dhe për ta mposhtur këtë sëmundje globale.
“U pajtuam që edhe nisja e kampanjave vetëdijesuese, si një mjet për zbulimin e hershëm dhe më pas shërimin e saj, është një mënyrë e mirë për t’i sensibilizuar njerëzit për këtë sëmundje. Zbulimi i hershëm i Kancerit të Gjirit shpëton jetë”, ka thënë Ismaili.