Një incident është regjistruar para pak minutash në qendrën e votimit në Graçanicë.

Dy persona janë përleshur në korridor të shkollës ‘Krajl Milutin’ ku është e vendosur edhe qendra e votimit për këtë komunë. Policia e Kosovës i ka thënë KALLXO.com se ky incident nuk lidhet me zgjedhjet. Hetimet kanë rezultuar se motivi i përleshjes nuk ndërlidhet me zgjedhjet “, ka thënë Flora Ahmeti zëdhënëse e policisë.

Në një incident të mëhershëm dy komisionerë të një vendvotimi në Komunën e Kllokotit janë ndaluar nga policia pasi kanë prishur rendin në vendvotim.

KALLXO.com mëson se në këtë qendër gjatë incidentit është rrëzuar edhe kutia e votimit.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga kryeprokurori i Gjilanit Jetish Maloku.

“ E kemi një rast ku janë përfshirë dy komisionerë në Kllokot. Njëri është ndalë pasi që ka goditur kutinë e votimit ndërsa rasti tjetër është në të njëjtin vend komisioner tjetër u ka treguar votuesve se si të votojnë”, tha Maloku.

E gjitha ka ndodhur kur njëri nga anëtaret u ka treguar votuesve kë të votojnë dhe komisioneri tjetër nga pakënaqësia ka goditur kutinë e votimit dhe e ka përplasur  në tokë.