Konfuzion i madh është shkaktuar në lidhje me rock këngëtarin e famshëm, Tom Petty. Ai fillimisht u shpall i vdekur nga disa media amerikane, por më pas, lajmi u mohua nga spitali ku ai ndodhet, si dhe nga policia.

Rock këngëtari i famshëm Tom Petty, pjesëtar i grupit The Heartbreakers, po lufton për jetë në një spital të Los Anxhelosit, në Shtetet e Bashkuara, raporton TMZ.

Një raport i mëhershëm i Departmentit të Policisë së Los Anxhelosit, që konfirmonte vdekjen e këngëtarit, dhe që u transmetua nga një pjesë e madhe e mediave amerikane dhe ndërkombëtare, është hedhur poshtë.

Policia ka thënë se “nuk ka informata për vdekjen e këngëtarit Tom Petty. Informatat e para i janë dhënë gabimisht disa mediave”. Ajo ka shtuar se “nuk ka rol hetues në këtë çështje”, dhe ka kërkuar falje për konfuzionin e shkaktuar.

Edhe spitali ku ndodhet aktualisht këngëtari, në Santa Monika, ka mohuar vdekjen e tij.

Muzikanti legjendar, 66-vjeçar, ka pësuar sulm në zemër, dhe është gjetur i pandjenja dhe pa frymëmarrje në shtëpinë e tij, në Malibu.

Sipas TMZ, Petty po mbahet në jetë në spital me ndihmën e aparateve mjekësore.