Nga Isa Myzyraj 

Të mërkurën është parashikuar të mbahet seanca parlamentare, e cila në pikën e parë të rendit të ditës do të ketë, heqjen ose jo të imunitetit të deputetit, Saimir Tahiri.
Duke ditur numrin e votave që ka PS, 74 deputetë vetëm, është e qartë se deputetët e PS do të vendosin nëse do e çojnë ose jo Tahirin pas hekurave, siҫ ka kërkuar Prokuroria.
Padyshim, deputetët e PS-së, janë në udhëkryqin më të madh që nga viti 2013, vit ky kur erdhën për herë të parë në pushtet pas 8 vjetëve opozitë.

Deputetët e PS duhet ta mendojnë mirë votën e tyre ditën e seancës ku do të vendoset fati i ish-ministrit të Brendshëm, deputetin e grupit të tyre, bashkëpunëtorin dhe kolegun e tyre, që nuk kanë hezituar shumë nga ta, përfshirë dhe të parin e PS, kryeministrin Rama, ta quajnë si ministrin më të suksesshëm në kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Brendshme.

Të mërkurën, socialistët do të jenë në dilema të mëdha, sepse nëse e “japin” Tahirin, do të thotë që tek ta ka një hije dyshimi mbi ish-ministrin. Nëse kolegët e dorëzojnë Tahirin në qeli, ata do të përfshihen në një rrugë pa krye, sepse nga ana tjetër do të qëndrojë artileria opozitare, e cila mezi ka pritur të ndodhte diҫka e tillë, për të kërkuar tanimë jo vetëm arrestimin e Tahirit, por edhe rrëzimin e qeverisë, që e mbajti ministër Tahirin në plot 4 vite.

Nëse PS voton pro heqjes së imunitetit të Tahirit, nuk dihet nëse do të ketë më shumë socialistë që do e përshëndetin vendimin, me argumentin se, drejtësia është e barabartë për të gjithë, apo do të ketë më shumë që do të thonë: “ I ngulët thikën pas shpine Saimirit, dhe nuk i dolët zot në ditët më të vështira për të”.
Me dorëzimin para drejtësisë të Tahirit, Partia Socialiste mund të marrë një goditje të fortë nga të gjitha anët, sepse duhet ta mirë argumentojë distancimin e saj, nga një ndër personat më të rëndësishëm të qeverisë së kaluar, dhe kjo gjë nuk do të jetë aspak e lehtë për PS.

Nga ana tjetër, PS mund të vendosë fare lehtë me 74 mandatet e saj të votojë, kundër heqjes së imunitetit të Tahirit, gjë e cila mund të vërë në dyshime të mëdha deklaratat e kryeministrit dhe personave të tjerë të rëndësishëm në PS, se lufta ndaj krimit do të jetë e egër dhe e pamëshirshme për të gjithë.
Vota kundër heqjes së imunitetit të Tahirit, do të sjellë një reagim të ashpër të opozitës së bashkuar, ndoshta edhe ndonjë valë protestash që nuk dihet deri në çfarë pike mund të shkojë zemërimi i opozitarëve.

Nëse PS vendos që të mos e lëshojë Tahirin, sepse sipas tyre, mund të mos ketë prova të mjaftueshme, Prokuroria si një organ i drejtësisë, duhet të gjejë rrugën e duhur dhe t’i shkojë deri në fund kërkesës së saj, në të kundërt, do të bie një hije e zezë mbi të, siҫ shpesh herë ka rënë në këto vite.

Edhe pse nuk i kanë votat e duhura në parlament, opozitarët, janë këtë herë në avantazh, sepse kjo luftë nuk do të jetë lojë numrash, por faktesh dhe provash.

Opozita ka përpara një kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila kërkon arrestimin e Tahirit, dhe ajo do ta mbroj fort atë kërkesë, dhe me shumë mundësi, sa herë që qeveria në 4-vjeҫarin e ardhshëm të flasë për drejtësi, opozita do i kujtojë këtë raport, pak rëndësi ka nëse qëndron ose jo, opozita do e përdor kundër qeverisë Rama.
Në të dy rastet e lartpërmendura, deputetët e PS, janë në një udhëkryq, të mos themi në një hall të madh, se çfarë duhet të bëjnë të mërkurën?!