Sara dhe Jonela kanë ftuar Bleonën, një vajzë nga Fieri, në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për t’i bërë një surprizë të këndshme me spikerin e lajmeve të Televizionit Klan, Reis Çiçon. Reis Çiço shprehet se profesioni i tij është shumë i vështirë, pasi mbi të rëndon përgjegjësia e rreth 2-3 milionë shikuesve në Shqipëri dhe mbarë botën, ku ndiqet Televizioni Klan.

Ardit Gjebrea kujton një rast kur është detyruar të drejtojë edicionin informativ në një televizion, pasi spikeri mungonte dhe shprehet: “Më dhanë lajmet, provova t’i jepja. Reis, isha një dështim i turpshëm i atij momenti dhe lajmet nuk u dhanë!”. Ndërsa Çiço i thotë se nëse do ta provonte sërish do t’ia dilte mbanë shumë mirë, pasi ka lirshmëri në komunikim, duke qenë se është edhe moderator.

Jonela, kushërira e Bleonës, rrëfen se kjo e fundit është e apasionuar pas gazetarisë dhe botës së televizionit. Sara shton se idhulli i mikes së saj është Reis Çiço, pasi sipas saj, transmeton emocion në prezantimin e lajmeve. Jonela dhe Sara menduan ta ftojnë Bleonën në Televizionin Klan për ta bërë pjesë të medias, duke qenë se vetë nuk arriti të fitonte degën e Gazetarisë.