Megjithëse vrau gati 60 njerëz dhe plagosi qindra tjerë në Las Vegas, autoritetet nuk e karakterizuan vrasësin Stephen Paddock si “terrorist” e as sulmin e tij si një “akt terrorist”.

“Jo, ne nuk mund ta themi këtë në këtë moment, ne besojmë se është një individ lokal, nuk e dimë se cili është sistemi i tij i besimit.”

Aktualisht po mendojmë se ky është akti i një individi, një ujk i vetmuar dhe gjithçka është nën kontroll”, tha Joseph Lombardo, sherif i Departamentit të Policisë Metropolitane në Las Vegas.

I dyshuari Paddock u gjet i vdekur kur policia hyri në dhomën e tij të hotelit. Mendohet se ai ka kryer vetëvrasje.

Është indikative se disa orë më parë, Lombardo iu përgjigj të njëjtës pyetje, nëse është një akt terrorist.

“Organet kompetente fillimisht duhet të gjejnë motivin, ka disa faktorë që lidhin veprimin me terrorizëm më tepër sesa me një çrregullim. Por para se të themi se për çfarë akti po bëhet fjalë, duhet të përpunohen të gjitha faktet fillimisht”.

Pas deklaratave të tij, grupi famëkeq ISIS mori përgjegjësinë për sulmin dhe njoftoi se Paddock ishte konvertuar në Islam disa muaj më parë. Edhe pa pretendimet e tyre, ligjet nuk kërkojnë një motiv për të quajtur një veprim të tillë “akt terrorist”.

Kështu, një pjesë e ligjit të Nevadës thotë se “akt terrorist” është çdo akt që përfshin “përdorimin ose tentativën e përdorimit të sabotazhit, shtrëngimit ose dhunës për të shkaktuar lëndime serioze ose vdekje në popullatën e përgjithshme”.

Ligji federal e përkufizon terrorizmin si “përdorim të paligjshëm të forcës dhe dhunës kundër personave ose pronës për të kërcënuar ose detyruar autoritetet, banorët ose ndonjë pjesë të tyre në përmbushjen e qëllimeve të caktuara politike ose sociale”.

Termi “terrorizëm” dhe “terrorist”, siç kanë treguar shumë individë në rrjetet sociale, nuk përdoret gjithmonë në të njejtën situatë.

Në këtë mënyrë, regjisorja Ava DuVernay në Twitter shkroi: “Një ujk i vetmuar, një sulmues lokal, një njeri i armatosur, çfarëdo, por jo terrorist, pyes veten përse vallë?”.

Aktorja Emmy Rossum shkruan: “50 të vdekur, më shumë se 400 në spital, dhe ne ende e quajmë atë ‘ujk i vetmuar’. Quajeni këtë akt terrorist, sepse i tillë është “.

“Më dhemb zemra për Las Vegas, kemi nevojë për dashuri, unitet, paqe, kontroll të armëve dhe që njerëzit të shohin se çfarë po ndodh dhe ta quajnë me emër të vërtetë = terrorizëm”, shkruan këngëtarja dhe aktorja Ariana Grande.

Individë si Jack Molyneux kanë publikuar fotografi të ligjit që përcakton një akt terrorist: “Dëshiroj që mediat të fillojë ta quajnë sulmin në Las Vegas ashtu çfarë është:  Terrorizëm. Nuk është një ‘sulm i ujkut të vetmuar’ apo diçka e ngjashme”.