Reagimet ndaj lajmit se Shtetet e Bashkuara kanë informuar qeverinë kubaneze se kanë urdhëruar largimin e 15 zyrtarëve nga ambasada kubaneze në Uashington, kanë qenë të përziera.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, tha se diplomatët e Kubës kanë shtatë ditë afat që të largohen nga vendi.

Njoftimi vjen më pak se një javë pasi Shtetet e Bashkuara reduktuan praninë e tyre diplomatike në Havanë pas sulmeve misterioze ndaj personelit amerikan në Kubë.

Ministri i jashtëm kubanez, Bruno Rodrigues, i dënoi veprimet amnerikane.

“Ministria e Jashtme proteston me forcë dhe e dënon këtë veprim të pabazë dhe të papranueshëm, si edhe pretekstin e përdorur për ta justifikuar atë, sipas së cilit qeveria kubaneze nuk mori gjithë masat e duhura për të parandaluar incidentet për të cilat akuzohet Kuba”, tha ai.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se numri i diplomatëve amerikanë për të cilët është konfirmuar se janë bërë objekt sulmesh të pashpjegueshme shëndetësore në Havana, është rritur nga 21 në 22.

Kuba ka mohuar përfshirjen në sulme dhe tha se po bashkëpunon me hetimin amerikan.

Problemet e pashpjegueshme shëndetësore që filluan në nëntor kanë prekur 22 diplomatët dhe familjet e tyre.

Incidenti më i fundit ndodhi në gusht. Simptomat përfshijnë ankesa për dhimbje veshi, humbje dëgjimi, marrje mendsh, dhimbje koke, lodhje, probleme koordinimi dhe vështirësi për të fjetur. Disa prej tyre janë diagnostikuar me dëmtime të lehta në tru dhe humbje të përhershme dëgjimi.

Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar amerikanët, që të mos udhëtojnë në Kubë sepse didsa nga sulmet ndaj punonjësve amerikanë, ndodhën në Havana.

Kuba ka mohuar të jetë përfshirë ose të ketë dijeni për këto sulme.

Departamenti i Shtetit thotë se numri i viktimave mund të rritet ndërsa zbulohen raste të reja, pork a theksuar gjithashtu se nuk e di se kush ose çfarë qëndron pas incidenteve