Presidenti francez, Emanuel Makron shprehu mbështetje të plotë për kryeministrin spanjoll Mariano Rahoj pasi parlamenti në Kataonjë shpalli pavarësi.

“Kam një bashkëbisedues në Spanjë dhe ai është kryeministri Mariano Rahoj…Ka shtet juridik në Spanjë me rregulla kushtetuese. Rahoj e ka mbështetjen time të plotë”, deklaroi Makron gjatë vizitës në Guajanën Franceze.

Britania e Madhe “nuk e njeh dhe nuk nuk do ta njohë pavarësinë e Katalonjës”, njoftuan mediat britanike duke e transmetuar deklaratën e zëdhënësit të kryeministres Tereza Mej. Sipas tij, deklarata është në bazë të votimit që “e kualifikuam si ilegale”.

Kryeministri i Belgjikës, Sharl Mishel sot u bëri thirrje autoriteteve në Madrid dhe Barcelonë për dialog pas vendimit për pavarësi të Katalonjës.

“Një krizë politike mund të zgjidhet vetëm me dialog. Bëjmë thirrje për zgjidhje të qetë”, shkroi Mishel në Tuiter.

Ministri italian i Punëve të Jashtme Anxhelino Alfano theksoi se “deklarata për pavarësi të Katalonjës shtë akt shumë serioz dhe është jashtë kufijve të ligjit”.

Ai theksoi se Italia nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e parlamentit katalanas.

“Tani nevojitet dialog që të kursehet popullata nga eskalimi i tensioneve”, shtoi Alfano.

Spanja mbetet aleat i rëndësishëm i NATO-s, ndërsa Katalonja është çështje e brendshme e cila duhet të zgjidhet në kuadër të institucioneve spanjolle, deklaroi një përfaqësues i Aleancës.