Ashtu siç ishte paralajmëruar pasditen e së premtes, rreth orës 10:00 nisi mbledhja e Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për të vendosur në lidhje me imunitetin e deputetit Saimir Tahiri.

Mbledhja me dyer të hapura zgjati vetëm pak minuta dhe prokurori Besim Hajdarmataj tha se Prokuroria ka marrë dokumenta të tjera nga pala italiane.

“Duke qenë në fazën e kryerjes së veprimptarisë hetimore, kemi arritur të kryejmë disa veprime hetimore që implikojnë deputetin Tahiri. Ditën e djeshme kemi administruar tashmë, një pjesë tjetër të letërporosisë të ardhur nga autoritetet e drejtësisë italiane. Kërkojmë t’i paraqesim dhe t’i administrojmë sipas rregullave proceduriale”, tha prokurori Hajdarmataj.