Raportuesi Special i Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Palestinë, Michael Lynk tha se qeveria e Izraelit mund t’i ndryshojë politikat e saj në rast se ndaj këtij shteti aplikohen sanksionet sidomos në fushat si ushtarake, ekonomike e akademike. Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bojkotohen kompanitë izraelite të cilat prodhojnë në territoret palestineze, raporton Anadolu Agency (AA).

Lynk në një konferencë për media të organizuar në Qendrën e Përgjithshme të OKB-së dha informacione për raportin vjetor të prezantuar në Komitetin e Tretë, i cili adreson çështjet e të drejtave të njeriut në Këshillin e Përgjithshëm të OKB-së.

Duke vënë në dukje se pushtimi 50 vjeçar i Izraelit dhe “shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut” po rriten çdo ditë e më shumë, Lynk thotë se në mes të Izraelit dhe Palestinës nën pushtim ka një “dallim të madh asimetrik të forcës”.

Sipas tij, aplikimi i sanksioneve të bashkësisë ndërkombëtare kundër Izraelit, mund të ndikojë në ndryshimin e politikave të qeverisë së këtij shteti.

“Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të marrë produkte të kompanive izraelite të cilat prodhojnë në territoret palestineze, që ndodhet nën pushtim. Vendosja e atyre kompanive është i ndaluar me ligj. Izraeli është shumë i varur nga bota e jashtme dhe tregtia me SHBA-në dhe Bashkiminin Evropian (BE)”, tha Lynk.

Në vazhdim ai tha se “Ne do të fillonim të shihnim një ndryshim të madh në qëndrimin e qeverisë izraelite poqese në vizitat e izraelitëve jashtë shtetit do të kërkohej vizë, poqese BE-ja nuk do të realizonte marrëveshje tregtare dhe do t’i jepte fund bashkëpunimit ushtarak, ekonomik dhe akademik me Izraelin”.

“Kjo duhet të ndodhë. Edhe një rrugëtim në distancë prej 1 mijë kilometrash fillon vetëm me një hap dhe ky mund të jetë hapi i parë që ne duhet të ndërmarrim”, tha Lynk.