Nga Alket GOCE

Thomas Countryman, ish-diplomati amerikan i dalë në pension, ka shërbyer në Ambasadën e SHBA-së në Beograd gjatë viteve 1983-1985, si Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Çështjet Politiko-Ushtarake në vitet 2009-2010, dhe Zëvendës Ndihmës Sekretar për Çështjet Evropiane në vitet 2010- 2011, përgjegjës për marrëdhëniet e SHBA me Ballkanin. Në intervistën e dhënë në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Forumin e Sigurisë të Beogradit, ku ishte folës në panel, Countryman i sheh me mosbesim investimet ruse, kineze apo edhe turke ne rajon, që sipas tij sjellin me vete jo vetëm paratë por edhe praktikat korruptive, klienteliste dhe jo transparente. Sipas tij stabiliteti i vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet t’i shërbejë reformave të thella në drejtim të antikorrupsionit dhe shtetit të së drejtës, ndërsa statuskoja duke toleruar degradimin e standardeve të demokratike, e çon rajonin më pranë Moskës dhe jo Brukselit.

Cila është sipas jush pengesa më e madhe e Ballkanit Perëndimor, në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian?

Unë do të përsëris pikërisht atë që theksova edhe në panelin tim në Forumin e Sigurisë në Beograd këtë vit – se pengesa më e madhe për vendet e Ballkanit në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, është njëherazi problemi më i madh ekzistencial me të cilin ballafaqohen të gjitha vendet në rajon, dhe që ka të bëjë me mënyrën se si duhet të luftohet korrupsioni, si të sigurohet transparenca në të gjitha marrëdhëniet qeveritare, dhe si të mbrohet pavarësia e sistemit gjyqësor dhe medias. Këto janë çështjet që kanë realisht rëndësi, pavarësisht se çfarë bën Brukseli apo se sa shpejt është e përgatitur për të lëvizur BE-ja. Dhe këto janë çështjet, që do të përcaktojnë prosperitetin dhe sigurinë e ardhshme të të gjithë qytetarëve të Ballkanit.

A mendoni se “stabilitetokracia”, është një term i saktë për të përkufizuar disa nga regjimet aktuale në Ballkanin Perëndimor?

Ky është një term interesant por edhe delikat. Si një ish-diplomat, unë mund të kuptoj vlerën e të qenit në gjendje për të pasur raporte me një qeveri të qëndrueshme e cila nuk ndryshon shumë, por unë e kuptoj nga ana tjetër, edhe frustrimin e kolegëve diplomatë anembanë botës, që shohin një paqëndrueshmëri të madhe në politikën aktuale të Shteteve të Bashkuara. Por nëse “stabilitetokracia”, ka për qëllim të thotë se nuk do të ketë asnjë ndryshim në qeveritë partiake, dhe se zgjedhjet e ardhshme do të kontrollohen nga kjo qeveri apo kjo parti e caktuar në një mënyrë që e paracakton rezultatin, kjo nënkupton frikësimin dhe shtypjen e medias. Kjo do të thotë mbizotërim të proceseve jo-demokratike, që e bëjnë sot Federatën Ruse një shtet të qëndrueshëm, dhe prandaj është diçka shumë negative për qytetarët e Ballkanit.

Si e shihni politikën serbe të balancimit, midis NATO-s dhe BE-së nga njëra anë dhe Rusisë nga ana tjetër, përfshirë edhe çështjet ushtarake?

Unë e kuptoj mirë historinë e Jugosllavisë dhe Serbisë. E kuptoj se ka arsye të forta pse shumë qytetarë të Serbisë, kanë dyshime në lidhje me bashkëpunimin me NATO-n. Thënë këtë, unë mendoj se qeveria serbe në mënyrë të kuptueshme do që të ruajë marrëdhëniet më të mira të mundshme me të gjithë fqinjët e saj. Jo vetëm me Bashkimin Evropian dhe me anëtarët e NATO-s, por edhe me Rusinë dhe me një pjesë të vogël të vendeve që lidhen me Rusinë. Në Serbi lipset të ketë një debat shumë aktiv si në çdo vend tjetër, rreth zgjedhjeve që kanë realisht rëndësi. Nuk jam i sigurt nëse ka një debat të hapur, por i kuptoj arsyet pse çdo qeveri serbe do të donte të qe e kujdesshme lidhur me afrimin ndaj NATO-s, dhe nuk do të kërkonte të lidhej me Rusinë.

Ekzistojnë dallime të mëdha në rrafshin ekonomik. Mendoj se ekziston një dallim i madh midis investimeve që vijnë nga BE-ja apo SHBA, të cilat janë më transparente, dhe investimeve që vijnë nga Federata Ruse, të cilat sipas përkufizimit janë jo-transparente dhe jo domosdoshmërisht në interesin më të mirë ekonomik të Serbisë. Por këto janë zgjedhje që duhet t’i bëjë qeveria në Beograd, dhe për të cilat ajo duhet të japë llogari para votuesve serbë.

A është e vështirë për Perëndimin të shohë ndikimin e aktorëve jo-perëndimorë në Serbi, por edhe në Ballkanin Perëndimor, si Rusia, Turqia apo Kina?

Sigurisht që unë jam i shqetësuar për drejtimin jo-demokratik që po merr Turqia, pozitën anti-demokratike të Federatës Ruse, si dhe pozitën merkantiliste të Kinës – kapitalisti më i mirë në botë gjendet sot tek qeveria kineze. Këto janë vende të rëndësishme, me të cilat duhet të merret çdo vend në botë. Por fakt është, se nëse ju i ftoni si partnerët tuaj kryesorë ekonomikë Rusinë apo Kinën, jeni gjithashtu duke ftuar të njëjtën mënyrë pasurimi të zyrtarëve të lartë të qeverive në Moskë dhe Pekin, e cila është një shenjë dalluese e ekonomisë ruse apo kineze. Nuk po them që ju nuk mund ose s’duhet të bashkëpunoni me ta, por po ju them se duhet të jeni shumë të vetëdijshëm, se ata do të sjellin në mënyrë të pashmangshme vlerat jo transparente dhe jo demokratike në sistemin tuaj politik dhe atë ekonomik. (Tirana Today)