Qeveria e Republikës së Maqedonisë i uron qytetarët, subjektet politike dhe institucionet e Republikës së Maqedonisë të angazhuara për zbatimin e zgjedhjeve, të cilët dëshmuan se i kanë kapacitetet e nevojshme dhe të larta demokratike për organizimin e kushteve për zgjedhje korrekte dhe demokratike, qëndron në kumtesën e Qeverisë.

“Qytetarët e Republikës arritën edhe një fitore për demokracinë. Në mënyrë të lirë, në bazë të bindjes së lirë politike dhe vullnetit personal, dolën në votim në Zgjedhjet Lokale të vitit 2017, dhe e realizuan të drejtën e garantuar kushtetuese. Në të njëjtën kohë, të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e zgjedhjeve të rregullta, ishin në krye të angazhimeve dhe obligimeve të tyre profesionale, dhe i realizuan të gjitha aktivitet e nevojshme për zbatimin e zgjedhjeve”, vlerëson Qeveria në kumtesën për zgjedhjet e lokale të mbajtura dje.