Qeveria rajonale e Katalonjës kumtoi përmes Tuiterit se 337 persona janë lënduar nga “dhuna e policisë spanjolle” gjatë mbajtjes së referendumit për pavarësi.

Zëdhënësi i kësaj qeverie, Zhordi Truli i publikoi këto numra edhe në konferencën për shtyp në të cilën i akuzoi policët spanjollë për brutalitet. Truli e akuzoi edhe kryeministrin spanjoll Marijano Rahoj se është përgjegjës për dhunën.

Paraprakisht shërbimi katalanas për gjendje urgjente kumtoi se të paktën 38 qytetarë janë lënduar në përleshjet me policinë në Barcelonë, ndërsa MPB-ja e Spanjës pohoi se janë lënduar të paktën 11 policë.

Lideri katalanas, Karles Puçdemon deklaroi se policia kombëtare spanjolle ka përdorë “dhunë të padrejtë” kundër civilëve në Barcelonë të cilët kanë dashur të votojnë në referendumin për pavarësi.

Qeveria katalanase publikoi informacion se është krijuar ueb faqe me ndihmë të platformës së blogerëve Vordpres ku qytetarëve u mundësohet të votojnë në referendumin deri në mesnatë, publikoi gazeta El Mundo.

Para fillimit të votimit në referendumin për pavarësi Qeveria e Katalonjës ju bëri thirrje votuesve të votojnë në cilindo vendvotim që do të jetë i hapur.

Pothuajse tre të katërtat e vendvotimeve janë të hapura për votim në referendumin për pavarësi të Katalonjës, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë së Katalonjës.

Ai u bëri thirrje katalonjasve masovikisht të dalin në votim dhe të mos bien pre e as të shkaktojnë incidente.

Policia spanjolle ka përdorë plumba gome kundër protestuesve para vendvotimit në Barcelonë, ndërsa disa njerëz janë lënduar, lajmërojnë mediat perëndimore.

Policia ka gjuajtur plumba që të largohen protestuesit të cilët kanë dashur të pengojnë automjetet policore me material votues të sekuestruar të largohen nga vendvotimi.

Gazeta Periodiko publikoi se policia ka përdorë plumba gome kundër njerëzve në udhëkryqin në Barcelonë.

Në qytet është sistemuar policia spanjolle, si dhe garda civile, ndërsa mbi Barcelonë fluturojnë helikopterë policor. Para një numri të madh të vendvotimeve ka përleshje sepse policia tenton t’i shpërndajë njerëzit të cilët kanë ardhur të votojnë.