Lideri katalanas, Karles Puxhdemon ju bëri thirrje katalanasve të mbeten të qetë para masave të pritura të pushtetit qendror në Spanjë pas shpalljes së pavarësisë.

Duke iu drejtuar qindra mbështetësve të tubuar të pavarësisë, të cilët e mbushën parlamentin katalanas, Puxhdemon theksoi se “ditëve në vijim duhet t’i ruajmë vlerat tona të pacifizmit dhe dinjitetit tonë. Në duart tona dhe tuaja është ndërtimi i republikës”.

Puxhdemon tha se Parlamenti e ka plotësuar premtimin e gjatë dhe të dëshiruar për të cilin ka premtuar dhe i cili kulmoi me mandatin e marrë në referendum për pavarësi më 1 tetor, por të ndaluar nga pushteti qendror i Spanjës.

Në parlament populli e këndoi himnin katalanas “Els Segadors” dhe brohoriti: “Liri!”.