Gjykata për Krimet e Rënda ka zbardhur vendimin e arsyetuar ndaj një grupi kriminal të akuzuar për vrasje me pagesë të porositura nga burgu nga i dënuari përjetë Admir Tafilaj. “ABC News” ka siguruar materialin e plotë prej 243 faqesh, ku zbardhen detajet e funksionimit të grupit, si edhe përgjimet e koduara mes të pandehurve.

Ata u njohën në burgun e Bradasheshit, ku u miqësuan dhe u bënë “vëllezër gjaku”. I premtuar njëri-tjetrin mbrojtje, deri në dhënien e jetës po të ishte nevoja. Një vit më vonë, Kristi Pine, jo vetëm që theu premtimin, por pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë. Në statusin e “të penduarit” ai tregoi para hetuesve porositë që merrte nga burgu prej të dënuarit përjetë Admir Tafilaj për vrasje me pagesë.

Gjykata për Krimet e Rënda ka zbardhur arsyetimin e vendimit përfundimtar ndaj Tafilajt dhe 9 të bashkëpandehurve të tij, ku i pari mori një tjetër dënim me burgim përjetë. Një kopje e materialit voluminoz prej 243 faqesh është siguruar nga “ABC News”.

Sipas gjykatës, i pandehuri Admir Tafilaj është ideuesi dhe krijuesi i grupit kriminal bashkë me Kristi Pinen dhe Elson Merdanin. Të pandehurit e tjerë janë “rekrutuar” prej tij, por bashkëpunimi i tyre në varësi të episodeve është i thjeshtë dhe jo si grup i strukturuar. Togat e zeza të Krimeve arsyetojnë se ishte Tafilaj ai që përmes lidhjeve të tij brenda e jashtë burgut merrte porositë për vrasje. Më tej ai ndante detyrat dhe rolet tek të tjerët. Elson Merdani merrej me gjetjen e armëve, shpenzimet për lëvizjen apo udhëtimet, ndërsa roli i ekzekutorit i takonte Kristi Pines.

Sipas gjykatës, përveç një vrasjeje, që Pine ia ka bërë si nder Tafilajt, për të tjerat “pazari” ka variuar nga 15 mijë në 50 mijë euro.

Përgjime telefonike mes të pandehurve kanë qenë një nga provat e prokurorisë në gjykim.

Në një bisedë të 31 tetorit 2014, Kristi Pine i tregon Tafilajt në burg për përgatitjet për eliminimin e Leonard Muratajt, vepër e pakryer prej tij. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, të pandehurit përdorin terma të koduar për armët dhe fishekët.

Kristi Pine: He mor vllai

Admir Tafilaj: He ça je tu bo.

Kristi Pine: Hiç rehat, rrimë qetësi.

Admir Tafilaj: Mirë.

Kristi Pine: Mir mor mir, ka ngel për një gjo të vogël dhe në rregull të gjitha.

Admir Tafilaj: Ça ka ai që ka ngel.

Kristi Pine: Këshu mor burrë karamele 7.65 do munohet vetë me i gjet, kaq. Vetëm për ata ka ngel, Aifon katërta osht taman, kurse Aifon pesa nuk osht tamam, vetëm ajo mungon karikusi tamom.

Të pandehurit e dosjes u fajësuan për akuza të ndryshme në lidhje me një vrasjen e Brahim Manit në Shkodër, në qershor 2014, tentativën e vrasjes së Edmond Çakmashit në shtator të këtij viti, si dhe përgatitjen e kushteve për ekzekutimin Leonard Muratajt dhe Majlind Lilës në harkun tetor-dhjetor 2014.  Për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, Kristi Pine u dënua përfundimisht me 10 vjet burg.

Të dhjetë të pandehurit e kanë kundërshtuar vendimin në Apelin e Krimeve të Rënda.

Admir Tafilaj burg përjetë

Kristi Pine 10 vjet burg

Elson Merdani 35 vjet burg

Dritan Peksani 25 vjet burg

Alfred Qefalia 27 vjet burg

Klajdi Shembadhi 20 vjet burg

Aleksander Goraq 8 vjet burg

Fatos Koka 5 vjet burg

Albano Beqiraj 4 vjet burg

Dhimitër Zito 3 vjet burg.