Gazetari Vehbi Kajtazi ka lëshuar akuza se sulmuesit e gazetarëve janë të lidhur me politikën. Ka thënë se edhe rrahja e tij e djeshme kishte të bënte me punën e tij prej gazetari që kishte zbuluar një skandal të një politikani.

Ka thënë se pavarësisht sulmit fizik do të vazhdojë gazetarinë hulumtuese. Ndërkohë, Shkëlqim Hysenaj nga AKG, ka thënë se drejtësia ka dështuar të sjellë para drejtësisë sulmuesit e gazetarëve. Ka thënë se Kryeprokurori duhet të bëjë me shumë për nxjerrjen para drejtësisë gjithë ata që sulmojnë gazetarët.

Derisa po vazhdon protesta e gazetarëve në afërsi të ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit, u deklarua edhe Vehbi Kajtazi, i cili u sulmua fizikisht dje në një kafiteri në Prishtinë.

Ai tha se sulmi i djeshëm ndaj tij, sulmi që ndodhi para dy muajve ndaj drejtorit të Insajderit Parim Olluri dhe sulme të tjera që kanë ndodhur muajve të fundit ndaj gazetarëve, kanë filluar të bëhen shqetësuese.

“Ky presion i vazhdueshëm po rritet, e që deri tani dihet se sulmuesit nuk janë njerëz të thjeshtë, por janë njerëz që janë të lidhur me politikën”, tha Kajtazi.

Ai tha se sulmuesit kanë lidhje me politikën, dhe të cilët nuk po mund t’i durojnë shkrimet e gazetarëve, kështu duke tentuar t’i ndalin me dhunë.

“Sulmi i fundit ka ndodhur për shkak të punës sime, pas një seri shkrimesh që kam pasur javën e kaluar, sepse personazhi është i lidhur direkt me ato. Fatmirësisht ai është identifikuar, dhe shpresoj se së shpejti do të dalë para drejtësisë”, tha Kajtazi.

Ndërsa, kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shkëlqim Hysenaj tha se sulmi i djeshëm tregon se gazetarët po përballen me luftë, pasi drejtësia ka dështuar t’i sjellë para drejtësisë sulmuesit e gazetarëve.

“Kërkojmë nga të gjitha institucionet e Kosovës që të mendojnë seriozisht për sigurinë e gazetarëve në këtë vend, për garantim të lirisë së shprehjes”, tha Hysenaj, derisa potencoi se vetëm në këta muajt e fundit ka pasur 19 raste që janë raportuar në polici që lidhen më këtë dukuri.