Vijojnë hetimet për vrasjen e 39-vjeçarit Shpëtim Frashëri në Torino një ditë më parë, i cili u ekzekutua me tre plumba pistolete nga dy persona, të cilët janë në kërkim.

Agjentët e policisë, të koordinuar nga prokurori Vito Sandro Destito, janë duke punuar me marrjen e disa dëshmive dhe po kërkojnë gjurmë që mund të çojnë në kapjen e atentatorëve.

Larje hesapesh mes bandave

Një larje hesapesh mes bandash shqiptare, me gjasë e lidhur me prostitucionin, është hipoteza kryesore e hetuesve, raportojnë mediat lokale. Autoritetet italiane po hetojnë mbi jetën e viktimës e lidhjet e tij miqësore e jo vetëm.

Janë sekuestruar telekamerat e mbikëqyrjes së lokalit dhe të rrugëve përreth në shërbim të identifikimit të autorëve të vrasjes së 39-vjeçarit, i cili nuk ishte me dokumente të rregullta qëndrimi në Itali

Dinamika e krimit

Hetimet e para të policisë italiane kanë zbardhur se vrasësit kanë pasur si qëllim pikërisht vrasjen e viktimës pasi pas plumbit të parë të marrë në gjoks, Shpëtim Frashëri ka tentuar të largohet por është ndjekur nga ‘killerat’ për rreth 150 metra duke marrë dy plumba të tjerë në trup.

Frashëri ka ndërruar jetë pak orë më vonë në spitalin Martini të Torinos, ndërsa autorët e krimit janë larguar pa lënë gjurmë.

Gjatë atentatit plumbat kanë goditur dhe dritaren e një apartamenti aty pranë.