Përveç urdhrit evropian për arrestimin e Ivica Todoriq, i cili është i akuzuari i parë në aferën “Agrokor” dhe pronar i koncernit, është shpallur edhe fletarrestim i kuq i Interpolit, që do të thotë se ai duhet të arrestohet në cilindo prej 186 vendeve anëtare të Interpolit.

Nëse ndodh që ai të arrestohet në një skenar të tillë, atëherë Kroacia duhet të parashtrojë kërkesë për ekstradim, që është garanci se vendi do të procedojë personin e arrestuar.

Nëse urdhri evropian për arrestim vlen vetëm për rajonin e BE-së, fletarrestimi ndërkombëtar ka shtrirje më të gjerë dhe shpallet që të parandalohet mundësia që Todoriq të ikë jashtë territorit të Unionit.

Fletarrestimi i kuq për Todoriqin tani për tani nuk shihet në faqet e Interpolit dhe sipas disa sqarimeve, fletarrestimi bëhet publik madje pasi do të shterojnë të gjitha mundësitë.

Hetimi kundër Ivica Todoriqit, djemve të tij Ivan dhe Ante dhe 12 menaxherëve nga “Agrokor” dhe një revizori, u ngrit javën e kaluar për shkak të përvetësimit të paligjshëm të miliona eurove, me ç’rast burg hetues është caktuar vetëm për Todoriqin.