Prokuroria e Shtetit ka nisur hetimet edhe ndaj deputetit Milaim Zeka për kanosjen e Frashër Krasniqit. Vendimi i Prokurorisë është marrë pasi kanë nisur hetimet edhe ndaj deputetit të Vetëvendosjes për lëndimin e lehtë trupor të Zekës.

Dy deputetët e Kuvendit, Frashër Krasniqi e Milaim Zeka, janë nën hetime të Prokurorisë së Shtetit. I pari për lëndim të lehtë trupor kurse Zeka për kanosje.

Të dy përfaqësuesit e popullit janë në liri.

Nisjen e hetimeve kundër Zekës e ka bërë të ditur avokati i Frashër Krasniqit, Tomë Gashi. Pas vendimit të Gjykatës për ta lënë të lirë Krasniqin, Gashi ka thënë se Prokuroria po zhvillon hetime ndaj Zekës.

“Prokurori i shtetit po ashtu ka nxjerr vendim per zhvillim te hetimeve kunder z. Milaim Zeka per veper penale te Kanosjes ndaj Deputetit te Levizjes VV Frasher Krasniqi , kanosjen ndaj Frasherit sipas prokurorit e ka kryer z. Zeka ne po te njejtin emision, keshtu qe te dy deputetet jan ne hetime per incidentin ku edhe njeri edhe tjetri jan edhe te dyshuar edhe te demtuar ne raport me njeri tjetrin”, ka thënë Gashi.

Krasniqi ishte ndalur nga Prokurori derisa sot Gjykata ka vendosur ta lë të lirë deputetin e Vetëvendosjes. Gjykata ia caktuar masa e sigurisë Frashër Krasniqit që i ndalon afrimin ndaj personit të caktuar, të dëmtuarit Milaim Zeka në Kuvend 5 m, ndërsa jashtë 100 m.

Frashër Krasniqi, të premten, ka grushtuar Milaim Zekën, gjatë një debati të drejtpërdrejtë televiziv. Deri te përleshja fizike ka ardhur pasi dy deputetët kanë fyer e akuzuar njëri-tjetrin, duke përmendur akuza si: kriminel, dhunues, përdhunues, lopë, lahper, hajn etj, shkruan Gazeta Express.

Milaim Zeka ka thënë se prapa sulmit të Krasniqit qëndron Albin Kurti i cili po financohet nga Turqia, Rusia e Serbia.

Për këtë rrahje ka reaguar Kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar hetime dhe zbardhje të rastit. Asnjë fjalë deri tash për këtë rast nuk e kanë thënë Presidenti Hashim Thaçi e Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Milaim Zeka ka hyrë në Parlament si pjesë e NISMA’a në një koalicion me PDK’në e AAK’në,

Derisa Frashër Krasniqi është deputet dhe Zëdhënës i Vetëvendosjes. Është edhe i akuzuar në rastin e sulmit ndaj Parlamentit të Kosovës. Gjyqi ndaj tij po vazhdon dhe ende nuk ka një vendim përfundimtar.