Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se kërkesa e tij që Republika e Shqipërisë t’i pajisë qytetarët e Kosovës me pasaporta shqiptare nuk përbën kërkesë për shtet rezervë për kosovarët.

“Unë nuk kam kërkuar shtet rezervë. Kam luftuar për shtetin e Kosovës dhe jam shumë krenar”, është shprehur Thaçi, gjatë një interviste në Klan Kosova.

“Jam krenar shumë me shtetin e Kosovës, me simbolet e Kosovës, me flamurin e Kosovës, me identitetin tonë kombëtar, por edhe të shtetësisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

“Jam shumë mirë në shtetin tim, jetoj shumë mirë në shtetin tim”, ka thënë Thaçi, duke sqaruar se s’bëhet fjalë për kërkesë për shtet rezervë.

Duke justifikuar kërkesën e tij, presidenti kosovar ka theksuar se dyshtetësia është e drejtë kushetuese dhe ligjore.

Thaçi ka treguar se është qytetar i Shqipërisë që prej vitit 1993.

“Në udhëtime, aty ku nuk njihet pasaporta e Kosovës, shfrytëzoj pasaportën e Shqipërisë”, ka bërë të ditur ai, përcjell Gazeta Express.

“Pasaporta e Shqipërisë për mua është dhuratë e Bashkimit Evropian”, është shprehur Thaçi.

“Dhuratë të cilën nuk do ta dëshiroja – po ta them drejtë”, ka shtuar ai.