Presidenti francez Emanuel Makron sot e nënshkroi ligjin e ri, dukshëm më të ashpër për luftë kundër terrorizmit, i cili do ta zëvendësojë gjendjen e tanishme të jashtëzakonshme.

Franca pasnesër duhet ta heqë gjendjen e jashtëzakonshme, e cila u vendos pas sulmeve të përgjakshme islamike në nëntor të vitit 2015, kur e humbën jetën 130 persona.

“Ligji do të na mundësojë të dalim nga situata e jashtëzakonshme dhe njëkohësisht tërësisht ta garantojmë sigurinë e bashkëqytetarëve tanë”, deklaroi Makron.

Ligji do t’ju japë autorizime të mëdha përfaqësuesve të pushtetit qendror, të cilat do të mund të urdhërojnë hetime, të shqiptojnë ndalesë të ismalikëve të dyshuar për ta lëshuar qytetin ku jetojnë dhe të mbyllin qendra fetare në të cilat predikohet dhuna dhe radikalizmi, e gjithë kjo pa urdhër gjyqësor.