Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo, ka thënë sot se ministria që ai drejton do të vazhdojë investimet në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë, me qëllim të përmirësimit të strukturës varietore, duke ndikuar kështu në stimulimin e eksportit drejt tregjeve të huaja.

Ai këto komente i bëri gjatë një vizite që i bëri Entit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë dhe Shoqatës së Prodhuesve të Verës “Enologjia” në Rahovec, me ç’rast është njoftuar me zhvillimet e përgjithshme në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë.

Gjatë kësaj vizite, ministri Rikalo i ka njoftuar ata edhe me programet mbështetëse të ministrisë për vitin e ardhshëm, ku ka treguar se sektori i vreshtarisë dhe verëtarisë do të gjejë mbështetjen e ministrisë, si përmes granteve investive ashtu edhe përmes subvencioneve.

Përfaqësuesit e Entit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë dhe ata të Shoqatës “Enologjia” thanë se mbështetja e ministrisë viteve të fundit ka ndikuar në rritjen cilësisë, përmirësimin e teknologjisë së prodhimit dhe kushteve tjera të punës.