I zhgënjyer nga mospjesmarrja e Partisë Demokratike, kryeministri Edi Rama prezantoi sot strategjinë për diasporën dhe emigrantët në një tryezë ku ishte e pranishme dhe LSI.

Rama: Kjo është një ndër ato tema që s’ka qasje as majtas as djathtas, por një qasje unifikuese ndërkombëtare.

Rama deklaroi se qeveria shqiptare ka hedhur hapin e parë për të arritur qëllimet përfundimtare, regjistrimin e shqiptarëve kudo në botë dhe përfshirjen e tyre në votime.

Kjo, tha Rama, është një arsye më shumë që demokratët të bëhen pjesë e këtij procesi.

Rama: Jemi të fundit që nuk kemi plotësuar në raportet me vendet që janë rreth e rrotull apo vendeve që duam tu ngjajmë, përfshirjen e drejtëpërdrejtë të gjithë emigrantëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të vendimarrjes në vend përmes votës. Kjo është një arsye shumë e fortë që asnjë parti politike e përfaqësuar në parlament të mos mungojë në këtë proces, të mos tregojë apo lërë të kuptohet apo kequptohet se nuk është e interesuar për votën e shqiptarëve jashtë atdheut. Nëse ka në Shqipëri për njëmijë e një arsye që në këndvështrimin tonë nuk janë objektive, forca që kontestojnë zgjeshjet nuk ka një ilaç më efikas sesa rritja eksponenciale e përfshirjes në proces dhe pjesmarrjes në votim përmes përfshirjes së shqiptarëve jashtë kufinjve të Shqipërisë të cilët janë shumë larg nga çdo lloj mundësie për tu influencuar brenda vendit dhe janë shumë pranë vendit për të influencuar pozitivisht vendimarrjen. Baza e këtij procesi është regjistrimi që për fat të keq u la pas dore për çerek shekulli. Premtimi për të regjistruar diasporën tonë ka shoqëruar partitë njëra pas tjetrës fushatë më fushatë dhe ishte premtim kyç i qeverisë së krijuar në 2005 por hapi serioz drejt realizimit të këtij synimi madhor u hodh vetëm vitin e shkuar.

Shefi i qeverisë tha se regjistri i diasporës nuk është vetëm një çështje numërimi dhe votimi por i ofron Shqipërisë dhe një bazë të dhënash për kapacitetet e burimeve njerëzore.

Rama: Krijon një mundësi të re për të shfrytëzuar dijen shqiptare që sot është terësisht e decentralizuar.

Kryeministri tha gjithashtu se ka një interesim të diasporës për të investuar në Shqipëri dhe përë iu referuar një anketimi të Harvardit.

Rama: Po ashtu ka një interesim të ndjeshëm të diasporës për të investuar në Shqipëri. Një anketim i realizuar nga Universiteti i Harvardit me 1000 shqiptaro-amerikanë ka zbuluar se ata do të investonin 25 milion dollarë nëse do të ekzistonte një rrugë e sigurt dhe nëse ata do ta besonin këtë rrugë. 100 prej tyre janë shprehur të gatshëm të investojnë të paktën 100 mijë dollarë nëse do kishin një mekanizëm efikas për investimin e këtyre fondeve. Dhe në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe social diaspora është një burim i pashfrytëzuar dhe sot ne besojmë që janë pjekur kushtet jo thjesht nga nevoja jonë por dhe intreresimi i diasporës për të hedhur një hap të ri duke strukturuar mekanizmat dhe gjetur rrugët që ky hap të materializohet me investime direkte të diaporës në Shqipëri./Oranews.tv/