Pothuajse një javë e gjysëm pasi uragani Maria shkatërroi Porto Rikon, rreth gjysma e 3.4 milionë banorëve të ishullit ende nuk kanë ujë të pijshëm.

Gjithashtu, autoritetet lokale dhe federale thonë se rryma elektrike mungon për gati 95% të ishullit.

Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdoi të dielën kritikat e ashpra në Twitter që i filloi një ditë më parë, drejtuar ndaj kryetares së Bashkisë së San Huanit. Carmen Yulin Cruz, që ka qenë kritike ndaj përpjekjeve të qeverisë pas uraganit.

“Ne kemi bërë një punë të mrekullueshme në një situatë shumë të vështirë në Porto-Riko. Përveç Lajmeve të Rreme ose mosmirënjohësve të motivuar politikisht, njerëzit po fillojnë ta kuptojnë se sa punë është bërë nga FEMA dhe ushtria jonë e jashtëzakonshme”, shkruante ai të dielën në Twitter.

Gjatë një seance informuese, Guvernatori i Porto Rikos, Ricardo Rossello, tha se janë bërë përpjekje për lehtësimin e pasojave.

“Po punojmë së bashku me agjensinë federale të emergjencave FEMA, me departmentin e strehimit, zyrën e zonjës së parë, dhe departmentin për kujdesin për familjet, për të shpërndarë ushqim dhe ujë në zonat e ndryshme. Po koordinojmë të gjitha përpjekjet logjistike me FEMA-n në mënyrë që të mbërrijnë ndihmat në destinacion”, tha guvernatori Rossello.

Guvernatori tha se kanë mbërritur sasi të konsiderueshme ushqimesh dhe uji, të cilat do t’i shpërndajë qeveria.

Administratori rajonal në detyrë i FEMA-s, John Rabin, tha se do të jetë një proces i vështirë, megjithëse është bërë progres pas uraganit Maria.

“Bashkëpunimi me të gjitha institucionet federale, Departamentin e Mbrojtjes, Departamentin e Shëndetësisë, Departamentin e Energjisë, po mundëson përpjekjet që bëjmë çdo ditë për të ofruar mbështetje për qytetarët dhe për rindërtimin e Porto Rikos”, tha zoti Rabin.

Megjithatë, jeta në ishull është e vështirë, ndërsa banorët presin në vapë në radhë të gjata për të marrë karburant, ushqim dhe para të thata.

Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Celia Mendoza, e cila ndodhet në Porto Riko, thotë se të gjitha transaksionet bëhen me para të thata, pasi dyqanet nuk kanë rrymë elektrike për të përdorur karta bankare. Radhë të gjata krijohen tek ATM-të, ndërsa njerëzit shpresojnë të tërheqin paratë e tyre përpara se gjeneratorët e bankave të ndalojnë së punuari.

Guvernatori njoftoi se janë rihapur tashmë shumica e spitaleve dhe janë rilidhur pjesa më e madhe e telefonisë tokësore. Megjithëse po vazhdon pastrimi i rrugëve, ka ende komunitete nuk ndihmat nuk arrijnë dot për shkak të bllokimit të rrugëve, si dhe mungesës së mjeteve dhe shoferëve. Departamenti i Mbrojtjes njoftoi se ka nisur 100 kamionë me depozita karburanti drejt kryeqytetit San Juan. /VoA