Autoritetet greke konfirmuan se kanë arrestuar dy burra në aeroportin në Selanik, të cilët nga Maqedonia kërkohet për akuzat lidhur me përgjime të paligjshme, transmeton BTA.

Policia kumtoi se të dy janë arrestuar natën e kaluar në aeroportin në Selanik me dokumente të rreme bullgare.

Një përfaqësues nga gjyqësia greke, i cili dëshiroi anonimitet deklaroi se akuzat për këta dy persona lidhen me skandalin për përgjigjet e paligjshme.

Ministria e Drejtësisë duhet ta fillojë procedurën për ekstradimin pasi do ta marrë lajmin nga Interpoli për arrestimin e Goran Grujevskit dhe Nikolla Boshkovskit në Greqinë fqinje.

Nga Ministria e Drejtësisë informojnë se ende nuk kanë marrë një raportim të tillë.

Boshkovski dhe Grujevski akuzohen nga PSP-ja në rastin “Fortesa”, “Target”, “Fortesa 2”.

Policia e Maqedonisë, siç bëri të ditur Dojçe Vele, më shumë se një muaj ka pasur informacione për vendin e qëndrimit të Grujevskit dhe Boshkovskit. Gjoja janë fshehur në Halkidiki, pastaj në Selanik, ndërsa në fund kanë tentuar të largohen në një destinacion të ri.

Sipas disa burimeve jozyrtare, siç shkruan DV, ata në fillim ishin vendosur në një shtëpi-uikendi të një shtetasi të Maqedonisë të locuar në këmbën e parë të Halkidikit, por më vonë janë zhvendosur në një banesë në Selanik. Pas arrestimit që të dy janë transferuar në burgun hetimor, ku do ta presin procedurën për ekstradim.

Arratinë e tyre tremujore e ka ndërprerë policia greke, e cila ka vepruar sipas urdhër-arrestit ndërkombëtar të MPB-së së Maqedonisë. Sipas informacioneve jozyrtare, të dy gjoja janë arrestuar në aeroportin në Selanik, prej ku kanë planifikuar të udhëtojnë me pasaporta të falsifikuara bullgare.

DV thekson se policia e Maqedonisë më shumë se një muaj ka pasur informacione për vendin e qëndrimit dhe lëvizjen e dy të arratisurve. Gjoja, para dy-tre ditësh disa përfaqësues të lartë të policisë së Maqedonisë dhe të Greqisë kanë pasur edhe takim të përbashkët në të cilën janë këmbyer informacionet e fundit për këtë rast, pas çka vijoi arrestimi i Grujevskit dhe Boshkovskuit nga policia greke.

Tani për tani nuk mund të sigurohen të dhënat se ku kanë dashur të udhëtojnë, as si e kanë gjetur strehimin e tyre të përkohshëm te fqinji jugor. Për pyetjen e dytë ekzistojnë dy versione jozyrtare. Sipas njërës, ata në mënyrë të paligjshme e kanë kaluar kufirin e Maqedonisë dhe të Greqisë. Sipas versionit të dytë, kufirin e Maqedonisë e kanë kaluar në vendkalimin kufitar, por me dakordim paraprak të logjistikës që të mos evidentohen, gjegjësisht të lëshohen pa kontroll nga personi kompetent në atë turn, ndërsa në vendkalimin kufitar kanë kaluar me pasaporta të rremë. Gjoja, pasi MPB-ja kumtoi se është konfirmuar se Grujevski ka edhe identitet të dyfishtë, shërbimet kufitare greke në evidencë kanë gjetur të dhëna se personi me një identitet të tillë e ka kaluar kufirin e tyre.

Grujevski dhe Boshkovski nga 18 korriku, kur Gjykata e Apelit iu përcaktoi masë të paraburgimit, janë të pakapshëm për policinë, me siguri duke u fshehur me identitete të rreme. Ata akuzohen për shkatërrim të pajisjes për përgjime.

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi, muajin e kaluar deklaroi se zhvillohet procedura të cilat do të zbulojnë se kush e ka mundësuar arratisjen e Grujevskit dhe Boshkovskit.