Një pilot i kompanisë “Air Berlin”, që po e drejtonte aeroplanin nga Miami për në Dusseldort, me 200 udhëtarë në bord, e ka bërë një manovër dramatike mbi terminal për ta shënuar fluturimin e fundit të kësaj kompani të bankrotuar. Tash, autoritetet kane nisur një hetim për të parë nëse piloti dikujt ia ka rrezikuar jetën.

Autoriteti i Aviacionit i Gjermanisë (LBA) ka nisur një hetim ndaj këtij incidenti, i cili është kapur në kamera dhe është shpërndarë shumë nëpër rrjete sociale, transmeton Express.

“Air Berlin e përkrah plotësisht LBA-n në punën e saj”, ka thënë kjo kompani, raportojnë mediat gjermane.

Kompania në telashe financiare raportohet se kishte kërkuar leje për ta kryer këtë manovër në rast të ndonjë uljeje të dështuar të aeroplanit në aeroport. Pas manovrës, aeroplani është ulur me sukses dhe asnjë ankesë zyrtare nuk është bërë deri tani.

Piloti e ka quajtur manovrën “rrethi i nderit”.