Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, mbrëmjen e sotme, ka dhënë një koment lidhur me përjashtimin nga Partia Socialiste, duke theksuar se është në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e tij, megjithëse për shkak të rrethanave mbetet një komunikim i kufizuar.

“Nuk e pashë si gjyq politik përjashtimin nga Partia Socialiste. Edhe sikur një deputet apo drejtues i vetëm në PS, e çon nëpër mend që mund të më bëjë gjyqin politik, unë nuk e pranoj në asnjë rast”, u shpreht ai.

Tahiri nuk beson se është “barrë për Partinë Socialiste”, ndërsa përjashtimin e thotë se e mirëkupton dhe se e ka kërkuar edhe vetë.

“Në kushtet që jemi ishte një qëndrim gati i detyrueshëm për të mos pasur asnjë koment politik. Unë këtë e kam kërkuar vetë nga kryetari i PS. Kam kërkuar të mos kem asnjë mbrojtje dhe asnjë koment, sepse s’ka pse bëhet politikë në këtë histori. Pres që të gjithë ta marrin të vërtetën nga fjala e drejtësisë, jo nga unë. Nuk prisja më shumë nga vendmarrja e PS”, shpreht ai.

Ai tregon edhe takimin e parë me Kryeministrin Rama pas shpërthimit të bombës “Habilaj”.

“Secili ushtroi detyrën e vet dhe përgjegjësinë e vet përballë njëri-tjetrit dhe përballë publikut. Ishte një diskutim i hapur”, tregon ai.