Ka përfunduar pas thuajse 3 orësh mbledhje me dyer të mbyllura, seanca e këshillit të mandateve, e cila ka vendosur tashmë për fatin e deputetit socialist Saimir Tahiri.

Zyrtarisht Këshilli i Mandateve do të dalë me dy raporte. Njëri prej tyre është ai i socialistëve, të cilët nuk kanë pranuar kërkesën e prokurorisë së krimeve të rënda për arrestimin e Saimir Tahirit. Socialistët kanë votuar pranimin e pjesshëm të prokurorisë, që ata të mund ta hetojnë dhe kontrollojnë shtëpinë e Tahirit, por jo ta arrestojnë.

Nga ana tjetër, deputetët e përfaqësuesit e opozitës kanë votuar një raport ku i jepet drita jeshile kërkesave të prokurorisë, përfshi këtu edhe arrestimin e Tahirit.

Në dalje të mbledhjes, ka folur i pari deputeti i LSI-së Nasip Naço, i cili tha se gjithçka do të vendoset në seancën e parlamentit, ndërsa deputetë e PD-së e kanë cilësuar vendimarrjen abuzuese.

Nasip Naço: Në përfundim të seancës, hodhëm në votim, varianti i parë u pranua nga 5 deputetë për të gjitha përkesat që kishte sjellë prokuroria, kurse deputetët socialiste votuan vetëm për kontrollin e banesës dhe hetimit, duke përjashtuar arrestimin. Do dalin dy raporte. Do jetë kuvendi ai që do të vendosë me votë.

Enkelejd Alibeaj i PD: PS votuan kundër dhënies së autorizimit për arrest, ata janë kapur nga krimi e mafia

Gent Strazimiri i PD: Nuk është korrekte që të ndahet kërkesa e Prokurorisë. Lgjërisht thuhet që nuk është ky Saimiri që kërkohet nga Guardia di Finanza.

Kësisoj, fati i Saimir Tahirit do të vendoset zyrtarisht ditën e mërkurë në seancën parlamentare. Do të jenë votat e të gjithë deputetëve ata që do të ndajnë përfundimisht, nëse Tahiri do të arrestohet apo thjesht hetohet.