Aktorja që bëri të shpërthente skandali shkatërrues i Harvey Weinstein, Ashley Jud rrëfen edhe pjesën tjetër të së vërtetës së përballjes me të.

Nuk ishte fjala thjesht për ngacmim… Ajo druhej se producenti do ta përdhunonte, e për këtë arsye u detyrua, – siç thotë, – të bënte një lloj pakti me të.

Dy dekada më parë, asokohe një aktore e re në fillesat e karrierës, Judd ishte ftuar në suitën e Weinstein gjoja për një takim biznesi. E pamësuar me situatën ajo shkoi, vetëm që të gjendej përballë kërkesës së famshme të masazhit.

Pas refuzimit, ai tentoi të hidhej në veprim, por aktorja tregon se në atë moment mendoi se do të arrinte të largohej, duke e bindur se do të flinte me të nëse do të fitonte një çmim “Oscar” në njërin prej filmave të tij.

Producenti iu përgjigj: një nominim për Oscar!

“Jo, – ia ktheu Judd. – Kur të marr një statuetë Oscar”, dhe kështu arriti të largohej nga dhoma.

“Nuk jam krenare për atë që bëra”, shprehet ylli i “Hollywood”-it, sot 49 vjeç, – por nga ana tjetër arrita të largohem prej andej dhe kaq më duhej në ato momente”.

Nuk e pati të njëjtin fat aktorja italo-amerikane e “The Sopranos”, Annabella Sciorra, e cila tha për “The New Yorker” se Weinstein e kishte përdhunuar në vitin 1992 brenda apartamentit të saj. Ngacmimet vazhduan për disa vite, ndërsa nga turpi e frika, Sciorra nuk e raportoi incidentin në polici.

Karriera iu dëmtua, e 3 vite pas ngjarjes nuk pati më asnjë rol, sepse të gjithë e refuzonin, duket nën ndikimin e Weinstein. Të enjten, manjatin e filmit e akuzoi për përdhunim edhe aktorja norvegjeze, Natassia Malthe. Numri i grave që e kanë vënë Weinstein me shpatulla pas muri, me akuzat për ngacmime dhe agresion seksual, ka mbërritur tashmë në 50.