Në kuadër të muajit të luftës kundër kancerit të gjirit, u.d. drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, sot e ka vizituar Klinikën e Onkologjisë, me ç’rast nga afër u njoftua në lidhje me punën që po bëhet nga kjo klinikë, fushatën për vetëdijesim dhe me trajtimin e rasteve me kancer të gjirit dhe rasteve tjera të kancerit. Me këtë rast, dr. Ekrem Hyseni, drejtor i Klinikës së Onkologjisë, ka njoftuar se vetëm në këtë nëntëmujor janë regjistruar 239 raste me kancer të gjirit.

Dr. Hyseni, siç njoftoi QKUK, mes tjerash ka infiormuar se klinika në bashkëpunim edhe me Shoqatën e Onkologëve të Kosovës dhe Shoqatën “ Jeta Vita”,  kanë organizuar aktivitete të ndryshme nëpër komunat e Kosovës, qoftë përmes ligjëratave të ndryshme dhe formave tjera informuese. Mes tjerash, ai njoftoi se, bazuar në statistika, në vitin 2013 ka pasur 700 raste, më 2014, 770 raste me kancer, më 2015,  808 raste, më 2016 –  1.236,  përderisa në nëntëmujorin e këtij viti janë gjithsej 1.128 raste me kancer.

Drejtori Hyseni shpjegoi se kjo nuk duhet kuptuar si rritje e numrit, por vetëdijesim dhe raportim e  paraqitje e rasteve dhe tendencë për zbulim më të hershëm  të rasteve, ngase nga  një raport analitik,  del se Kosova ka numrin më të vogël të rasteve me kancer në regjion.

Ai shtroi nevojën e funksinailizimit 24-orësh të  Klinikës së Onkologjisë, e cila për momentin ofron shërbime 12-orë në ditë.  Sa i përket brahiterapisë, ai tha se është duke u punuar dhe i njëjti shërbim deri në fund të vitit pritet të jetë në shërbim të pacientëve dhe të kompletoj gamën e shërbimeve onkologjike.

Ud. Drejtori i Përgjithshëm i SHSKUK-së, dr. Basri Sejdiu,  përgëzoi stafin e onkologjisë për  punën, angazhimin dhe  profesionalizimin e treguar.

Ai  tha se do të angazhohet  që në planet afatmesme të punoj për funksionalizim  24- orësh  të kësaj klinike, por për ta bërë këtë nevojiten infermier shtesë, e poashtu duhet  të bëhet adaptimi i hapësirave të klinikës, apo eventualisht të shihet  mundësia e  shfrytëzimit  të ndonjë hapësire tjetër për vendosje të shtretërve për pacientë.

Dr. Sejdiu tha se do të punojë që në bashkëpunim edhe me menaxhmentin dhe kolegjiumin e klinikës të bëhet më e mira e mundshme për pacientët që kërkojnë shërbime onkologjike në kuadër të kësaj klinike.