Një burrë në Peqin ka mbetur i plagosur rëndë pasi është goditur disa herë me thikë. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se i plagosur ka mbetur E.Sh., ndërsa në kërkim është shpallur K.C., 41 vjeç.

Ndaj 41-vjeçarit, banues në Peqin, specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan bënë referimin e materialeve në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e tij.

K.C., në “Lagjen Xhami”, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet të ketë goditur disa herë me thikë shtetasin 61-vjeçarin banues në Peqin, shtojnë të njëjtat burime.

E.Sh., pasi mori ndihmën e parë mjekësore në Spitalin Kirurgjik Elbasan, u dërgua për mjekim më të specializuar në Tiranë.

Materialet për rastin i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76, 22 dhe 279 të Kodit Penal.