Kur shumica e manastirasve, në një mënyrë përshëndetën bashkimin e forcave elektorale të tri partive: BDI, BESA dhe Aleanca e Shqiptarëve e Zijadin Selës, jo për hatër të partive garuese, por për hir të mbarëvajtjeve të marrëdhënieve të mëtutjeshme ndërshqiptare në qytetit ku përçarja e shqiptarëve ka arritur kulmin, papritmas, brenda natës, ndodhin befasi, shkruan gazeta KOHA.

Sipas informacioneve të fundit, por edhe sipas aktivistit të Lëvizjes së Selës, Sedat Demiri, njëherësh edhe pjesëtar i Listës së këshilltarëve të koalicionit, në çastet e fundit, me insistimin e anëtarit me stazh më të gjatë në PDSH, dikur edhe këshilltarë në ish Komunën e Bistricës, Nexhmedin Elmazi nga fshati Zhabjan, në mënyrë ekspresive ka përpiluar listën e këshilltarëve dhe në minutat e fundit e ka dorëzuar në Komisionin Komunal Zgjedhor (KKZ).

Veprimin e papritur të këtij PDSH-isti, manastirasit e vlerësojnë si veprim destruktiv në drejtim të përçarjes së votave të shqiptarëve, edhe ashtu të pakëta dhe pengimin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në pushtetin lokal. ”Kur menduam se më në fund ndodhi befasia e këndshme, shqiptarët u ulën rreth një tryeze të përbashkët, papritmas, si rrufe nga qielli i kaltër, në momentet e fundit, erdhi lajmi se dega e PDSH-së del me listën të veten, duke penguar kështu bashkimin, por edhe duke stimuluar përçarjen e votës shqiptare dhe eliminimin para kohe nga gara për ndonjë rezultat sadopak pozitiv”, thotë Demiri. Motivet për veprimin të këtillë të Elmazit akoma nuk dihen, ndonëse ne bëmë përpjeke ta kontaktojmë dhe të mësojmë se pse ndodhi kjo.