Kisha ortodokse serbe vazhdimisht ka nxitur gratë vendase që të lindin më shumë fëmijë për “hir të kombit”.

Por, deklarata e fundit e bërë nga Patriarku Irinej ka ngjallur reagime të shumta, sidomos në rrjetet sociale.

“Gratë serbe janë të detyruara që të lindin. Janë të detyruara që të rinojnë vendin tonë dhe ne rekomandojmë që gratë të lindin sipas frymës së Zotit”, ka deklaruar në një intervistë për tabloidin “Alo”, kreu i kishës serbe.

Reagimet nuk munguan dhe të shumtë ishin ata që përmes rrjeteve sociale i kujtuan kishës shpenzimet dhe luksin e saj.

“Patriarku dhe kisha duhet të shesin flotën e tyre të makinave luksoze dhe ndërtesat që kanë për të ndihmuar nënat e reja në rritjen e fëmijëve të tyre, meqë duken shumë të shqetësuar për këtë”, ishte reagimi i qytetarëve. Në Serbi kisha zotëron prona të paluajtshme dhe makina nga më të shtrenjta që përdoren nga priftërinjtë e saj, luks që është kritikuar jo pak herë.