Armata irakiane dhe njësitet shiite paraushtarake sot i depërtuan pozitat mbrojtëse të forcave kurde dhe e pushtuan qytetin Altun Kupri, në kufirin me rajonin e Kurdistanit Irakian.

Me këtë, armata irakiane e kompletoi pushtimin në rajon rreth qytetit Kirkuk, e cila gjendet jashtë kufirit të Kurdistanit irakian, por me vite ishte nën kontrollin kurd. Sipas burimeve kurde, në luftimet me armatën irakiane dhe me paraushtarakët shiitë janë vrarë rreth 30 luftëtarë kurdë, ndërsa mbi 20 janë plagosur. Pesë luftëtarë shiitë gjithashtu e kanë humbur jetën në luftimet.

Qyteti Altun Kupri gjendet midis Kirkukit dhe Erbilit, kryeqyteti i Kurdistanit irakian. Tani për tani nuk dihet nëse armata irakiane dhe grupet shiite, të cilët marrin mbështetje nga Iraku zyrtar, do të ndalojnë në kufijtë e Kurdistanit irakian ose do të përparojnë drejt Erbilit.

Në një gjest të pajtimit, udhëheqësi shpirtëror i shiitëve irakianë, ajetollahu Ali al Sistani, iu bëri thirrje autoriteteve t’i mbrojnë kurdët në veri të Irakut. Thirrja konsiderohet si apel të mos kryhen krime në linjën etnike dhe fetare, ndaj kurdëve nga Kirkuki dhe qytetet tjera të cilat kanë rënë nën kontrollin e armatës irakiane.

Në të njëjtën kohë edhe Kombet e Bashkuara shprehën shqetësim për pozitën e kurdëve në rajonet e pushtuara.