Gazetari investigativ Artan Hoxha thotë se deklarata e fortë e Ambasadorit amerikan, Donald Lu këtë të hënë është sinjali i fundit për organet ligjzbatuese në vend.

“Alarmi besoj është sinjali i fundit për një lëvizje të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri dhe për një bashkëpunim serioz të tyre dhe jo sa për fasadë”, tha Hoxha.

Duke folur në Top Story, gazetari Hoxha thotë se alarmi i vërtetë lidhej me pasojat e rezistencës së krimit ndaj organeve ligjzbatuese.

“Alarmi i vërtetë i Lu është ai kur tha që janë 20 familje dhe katër klane që kontrollojnë trafikun e narkotikëve të rënda”, u shpreh ai.

Artan Hoxha ka edhe një paralajmërim.

“Nëse Donald Lu nuk del edhe njëherë tjetër, edhe kjo fushatë do të kalojë si në fushatat e mëparshme”, vijoi ai.

Për gazetarin Hoxha trafikantët e preferojnë Shqipërinë për shkak se  ajo është një pikë e rëndësishme tranziti për trafikun e lëndëve narkotike.