Ndryshimet në koalicionin qeverisës, me largimin e Aleancës për Shqiptarët do të sjellin emra të rinj në poste ministrore. Ministria e Shëndetësisë, e cila drejtohej nga kuadri i Aleancës së Shqiptarëve, Arben Taravari, me ndryshimet e reja do të duhet të zëvendësohet nga një kuadër i Bashkimit Demokratik për Integrim. Nga kjo parti publikisht ende nuk është përfolur ka ndonjë emër, apo kandidaturë konkrete, por mësohet se janë duke shqyrtuar emra të mundshëm që mund të ulen në këtë post. Lëvizjet brenda Qeverisë priten të ndodhin së shpejti, si reagim ndaj prishjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me partnerin dytë shqiptar në Qeveri, Aleancën për Shqiptarët të Zijadin Selës dhe vendimit të këtij të fundit për të bërë pakt me Lëvizjen Besa dhe koalicion me ta në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.